Protesta e flamingove
Protestuesit thonë: "Boll me politikën 35-vjeçare të hajdutëve, sepse na detyruan të rritemi, na treguan lirinë, pronën private dhe na kërkuan që ne të kemi përgjegjësi individuale. Ne jemi foshnja, duam stabilitet, duam shtetin-prind, duam që shteti të ndërhyjë në sektorin privat të punëve që të kontrollojë bizneset private dhe punësimet. Duam që shteti të ndërhyjë te prona dhe të na e kthejë atë, duam fabrikat e uzinat e Enverit, duam ushtrinë e Enverit, jo NATO-n. Duam izolimin, jo lirinë; duam kolektivizmin dhe turmën, jo individin; duam më shumë tribalizëm fisnor. Nuk duam meritokraci; duam që shteti të na japë shërbime publike falas, duam që shteti të na japë subvencione e pensione dhe të kemi minimumin jetik. Duam drejtësi, politikanët vjedhin; duam që prona private që ka shitur një individ t'i kthehet komunitetit. Poshtë oligarkët, duam më shumë shtet për të rregulluar korrupsionin e një shteti të korruptuar!" Populli thotë: "Fusni njerëzit në burg pa proces gjyqësor, si në kohën e Enver Hoxhës!" Populli ta nxin reputacionin nëse përdor gjuhën shqipe si armë dhe ti nuk ke më vlerë si njeri nëse përsërisim një referen. Kur dëgjon këto kërkesa, jo vetëm nga këta protestues, por edhe nga analistë në studio, kupton përfundimisht analfabetizmin dhe mungesën e arsimit në Shqipëri.
Nëse kërkoni më shumë shtet, po kërkoni më shumë burokraci, më shumë korrupsion dhe më shumë administratë të mbifryrë; prandaj mos u çudisni kur paguani më shumë taksa dhe keni çmime më të larta, pasi do ta paguani administratën publike nga xhepi juaj.
Nëse kërkoni më shumë ndërhyrje nga shteti, bëhuni gati për më shumë taksa dhe çmime më të larta.
Nëse kërkoni që sot prona private e shitur me dokumente të anulohet si transaksion dhe t'i jepet komunitetit, mos u surprizoni kur një ditë shteti të vijë dhe t'ju marrë pronën në emër të komunitetit dhe kolektivizmit që doni aq shumë; kjo do të jetë vetëm karma për ju.
Kolektivizmi që ju dashuroni aq shumë, i cili është shkaktuar nga shoqëria me besimin më të ulët në botë (sipas statistikave), është shkaktari kryesor pse jeni të padukshëm në Shqipëri si popull. Duhet të fusësh mik dhe të kesh të njohur që të futesh në punë apo të martohesh. Ju si popull keni frikë nga individi, nga përgjegjësia individuale dhe agjencia individuale, gjë që mbështetet edhe nga statistikat e KAS, ku 92 për qind e shqiptarëve duan më shumë ndërhyrje nga shteti.
Kur ju kërkoni shërbime publike në vend të atyre private, pasi shërbimet publike si shëndetësia "falas" dhe uji 24 orë janë kurth, mos u çudisni pse paguani më shumë taksa. Ato shërbime nuk janë falas; do t'i paguani ju nga taksat tuaja, përveç çmimeve të larta.
Kur ju i dilni kundër oligarkëve dhe bizneseve private dhe i kërkoni shtetit t'i gjobisë e t'i mbysë me taksa, mos u çudisni kur ato biznese të rrisin çmimet e produkteve të tyre. Jeni ju që e krijoni këtë rreth vicioz. Mos u çudisni kur ky tatim progresiv që dashuroni të shpopullojë Shqipërinë dhe t'ju largojë të gjitha bizneset dhe shumicën e rinisë. Ju jeni të helmuar me lojën "zero-sum", jeni të indoktrinuar me idenë se nëse dikush ka më shumë para se unë, i ka të vjedhura. Ju nuk shikoni rreziqet e të bërit startup apo biznes, iniciativën apo vendet e punës që hapin startup-et. Ju doni të jeni baraz të varfër, baraz në mjerim, si në komunizëm ku të gjithë kishin 18 mijë lekë rrogë. Nuk kuptoni logjikën e thjeshtë se, nëse nuk e çliron biznesin nga taksat, atëherë nuk do të kesh progres; pasi një biznes në treg të lirë, me më pak taksa e burokraci, ul çmimet sepse ka më shumë prodhim, hap më shumë vende pune dhe konkurron më shumë.
Duke vazhduar me lojën e stigmës së reputacionit, duke përdorur gjuhën shqipe , gjuhën e tokës tonë të mrekullueshme , si një armë dhe helm, ju tregoni se jeni më komunistë nga mentaliteti dhe më kolektivistë se edhe komunistët e vitit 1945.
Posted Jun 25, 2026, 7:05 AM UTC